ALUIZNI: Kthimi i ligjit të Kadastrës penalizon çdo shqiptar – A2

ALUIZNI: Kthimi i ligjit të Kadastrës penalizon çdo shqiptar

Agjencia e Legalizimit të pronave ka reaguar pas kthimit nga Presidenti të ligjit të Kadastrës. Sipas ALUIZNI-t, ligji do të rivotohet nga 74 deputetët e mazhorancës, por vonesa në miratimin e këtij ligji penalizon çdo shqiptar.

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame mori si shembull faktin se godina e Presidencës ende nuk ka certifikatë pronësie, po ashtu si salla e Kuvendit, Ministria e Jashtme apo Kryeministria.

“Këto janë vetëm 4 nga pronat e këtij shteti që ka të regjistruara me certifikatë pronësie vetëm 4% të pronave të veta. Të këtij shteti që ka ende 600 mijë prona private të paregjistruara. Të këtij shtetit, që sipas raportit të BB, duhet të rimasë 80% të pronave të matura në këto 25 vjet, sepse janë matur së prapthi. Këto janë punët me të cilat do të merret Kadastra, të cilën dje zoti President e ktheu mbrapsht si të rrezikshme”, deklaroi Lame.

Sipas Artan Lames, nga kjo shtyrje preken 220 mijë fermerë që presin të regjistrojnë tokën dhe 50 mijë familje që presin të legalizojnë pronat e tyre.

Lidhur me shpjegimin e Presidentit Meta se ligji i jep kryeministrit atributet e administratorit të Regjistrit të Pasurive të Paluajtshme, kreu i ALUIZNI-t deklaroi se kalimi i Agjencisë së Kadastrës në varësi të kryeministrit garanton mbarëvajtjen e punës, ndërsa Regjistri i Pronave do vazhdojë të jetë nën administrim të Ministrisë së Drejtësisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2