Dashamir Shehi: Opozita duhet të “luftojë” në rrugë dhe në Parlament

Dashamir Shehi është një nga figurat më të respektuara të opozitës, edhe falë inteligjencës me të cilën argumenton tezat e saj.  

I ftuar në A2, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar ka komentuar vendimet e opozitës për të përshkallëzuar protestat kundër qeverisë. Strategji kjo, e provuar  disa herë, por a do të ketë kësaj here rezultatin e pritur, largimin e kryeministrit Rama?

“Koha do ta tregojë”, thotë Shehi, “por nëse do të ketë numrin e pjesëmarrësve qe ne mendojmë,  besoj se do të largohet. Nuk është rast unikal në botë”.

Shehi mohon që strategjia e opozitës të jetë ajo e bojkotit të institucioneve, dhe arsyeton: “Beteja mund të vazhdojë edhe në Parlament edhe në rrugë. Nuk do të ketë bojkot të institucioneve sipas mendimit tim. Parlamenti është një nga armët opozitare. Ashtu siç  një ushtar ka shtizën,  shpatën, mburojën, ashtu dhe ne kemi rrugën, Parlamentin etj.”.

Sipas tij, protesta kundër qeverisë dhe kushteve të vendit “ nuk shtyhet vetëm me protestat e studenteve dhe Astirit. Pa platforme politike, këto protesta do të vetëshuhen”.

Për sa i përket protestës të shpallur nga kreu i Partisë Demokratike Lulëzim Basha, dhe një agjende dhe date të përcaktuar, Shehi tregohet realist kur deklaron që “nderi dhe detyra për ta përcaktuar i takon Partisë Demokratike, por brenda muajit janar”.

Si gjithmonë për Shehin ka hapësirë edhe për autokritikë. “ Ne të opozitës nuk mendojmë gjithmonë njësoj, nuk kemi të gjithë të njëjtën histori politike. Kur të mbarojmë me Ramën patjetër që duhet të hapet dialektika e brendshme, por tani duhet te veprojmë së bashku”.  

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN