HRW për Kosovën: gazetarët përballen me kërcënime

Organizata ndërkombëtarë për Mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, vlerëson se Kosova ka bërë përparim të ngadalshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në raportin vjetor të publikuar të enjten thuhet se liderët e Serbisë dhe të Kosovës, parashtruan në muajin gusht një plan kundërthënës për korrigjimin e kufijve. Plani, thuhet në raport, nxiti shqetësime për të drejtat e njeriut pasi parashikonte shkëmbim të popullsisë.

HRW veçon vonesën e fillimit të punës së Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Kosovë për shkak të ndërrimit të prokurorit të posaçëm.

“Gazetarët u përballën me kërcënime e frikësime dhe ndjekja e krimeve kundër tyre ishte e ngadalshme. Tensionet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës kanë vazhduar, posaçërisht në veri. Komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane, vazhdojnë të përballen me diskriminim”

Human Rights Watch

Raporti e cilëson të dobët reagimin ndaj dhunës në familje që sipas tij, mbetet e përhapur në Kosovë. Po ashtu aty veçohet edhe gjuha e urrejtjes kundër veprimtarëve për të drejtat e komunitetit LGBT, shkalla e ulët e kthimit të të zhvendosurve si dhe dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova në muajin mars, me kërkesë të Ankarasë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN