“Nëse dekreton Ramën ministër të Jashtëm, Meta shkel Kushtetutën”

Mos dekretimi i shkarkimit të Ditmir Bushatit dhe emërimit të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, që solli edhe përplasjen mes Presidentit dhe Kryeministrit, interpretohet ndryshe nga mazhoranca dhe opozita.

Ervin Salianji thotë se Meta e ka interpretuar si duhet Kushtetutën, pasi detyra e tij nuk është thjesht formale në dekretimin e propozimeve të Kryeministrit. “Zoti Cakaj nuk ka çertifikatë sigurie dhe për më tepër nuk është deputet. Në një shtet normal, Rama duhet ta kishte çuar për ndjekje penale Cakajn, pasi ka 7 muaj në detyrë dhe nuk e ka marrë çertifikatën e sigurisë”, tha Salianji.

“Zoti Meta, emocionalisht tha se “nuk ma mbush mendjen”. Ky është precedent. Presidenti i Republikës ka kthyer nga vera e këtej, 12-13 dekrete. Thjesht po bën politikë dhe ka shkelur me të dy këmbët kushtetutën dhe herët a vonë Gjykata Kushtetuese do të ngrihet e do të përballet me të”, tha Alfred Peza.

Por nëse për Pezën Presidenti shkel Kushtetutën nëse nuk dekreton Cakajn, për Salianjin, Meta do të shkelë Kushtetutën nëse dekreton Ramën si ministër të Jashtëm. “Vetëm Enver Hoxha ka qenë edhe ministër i Jashtëm edhe Kryeministër. Presidenti, nëse e dekreton, shkel Kushtetutën. Edi Rama nuk mund të jetë edhe ministër i Jashtëm, edhe Kryeministër”, tha Salianji.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN