Bosi i drogës, gruaja dhe e dashura, përballen në gjykatë

Edhe në telenovela nuk mund të kishte një skenar të tillë… Një grua që thotë se ka pasur një lidhje jashtë martesore me trafikantin famëkeq El Chapo, dëshmoi të enjten kundër tij në gjyqin që po zhvillohet në Bruklin, ndërsa përveç tij kishte përballë edhe bashkëshorten Emma Coronel Aispuro.

Lucero Guadalupe Sánchez López, 29 vjeç, ish-ligjvënëse në shtetin e Sinaloas, ku edhe operonte Joaquin Guzman, i tha jurisë se marrëdhënia që ajo kishte me El Chapon ishte një miks mes biznesit dhe kënaqësisë. “Edhe tani jam e turbullt, pasi mendoja që kishim një lidhje romantike”, tha López, ndërsa gruaja e El Chapos ishte pak metra larg që qeshte me ironi. “Ndonjëherë e doja, ndonjëherë jo”.

Por pavarësisht ndjenjave që mund të ketë pasur për El Chapon, ajo tregoi sekrete nga lidhja e tyre, duke dhënë detaje nga bisedat e “punës” ku flitej për mënyrën se si do të organizohej trafiku i drogës. E quajtur “zëvendësja e El Chapos”, López konfirmoi se lidhja me Guzman nisi kur bashkëshortja e tij ishte shtatzënë me dy vajzat binjake.

Pasi kishte si detyrë fillimisht të shëtiste nëpër Meksikë në kërkim të marijuanës më të mirë për të dërguar në SHBA, 29-vjeçarja më pas u “ngrit në detyrë” dhe nisi të merrej me bizneset e kartelit në Meksikë, Los Angeles dhe Ekuador, për të pastruar paratë.

Me ndihmën e El Chapos, ajo u zgjodh si përfaqësuese në kongresin e shtetit te Sinaloas në vitin 2013, ndërkohë që vazhdonte të punonte dhe të mbante lidhje me trafikantin.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN