Rama fajëson pedagogët: Shkoni në mësim

Kryeministri Edi Rama fajëson pedagogët për bojkotin që vijon në shkollat e larta. Me tone të ashpra, kreu i qeverisë u ka kërkuar universiteteve të marrin përgjegjësitë që u jep ligji.

“Ne e dimë çfarë duan studentët, se çfarë doni ju nuk e kemi kuptuar. Ose më saktë, unë e kam kuptuar, por nuk kam ndërmend ta them akoma. Mos prisni ditën kur do të bashkohem unë me studentët dhe të vij përballë jush. Nuk janë ata të ngujuarit problemi, problemi janë pedagogët që nuk shkojnë të japin mësim. Edhe një student i vetëm ka të drejtë të marrë mësim”.

Edi Rama, Kryeministër

Reagimi i Kryeministrit erdhi pas kritikave të një prej drejtuesve të universiteteve për ligjin e arsimit të lartë dhe vendimet e qeverisë.

“Ligji që ju kontestoni në mënyrë të padrejtë, sepse nga ligji ju kërkoni liri, por nuk doni të merrni përgjegjësi”.

Edi Rama, Kryeministër

Teksa vijonte qëndrimin kritik ndaj pedagogëve, Rama u kërkoi rektorëve dhe dekanëve të shqyrtojnë “paktin për universitetin”, jo për programe elektorale, siç tha ai, por për angazhime konkrete.

Prezantohet ‘pakti për universitetin’, PD kundërshton

Qeveria prezantoi “paktin për universitetin” dhe premton angazhim për plotësimin e tetë kërkesave të studentëve. Dokumenti ka për qëllim ngritjen e grupeve të punës për përfaqësimin e studentëve në bordet e administrimit dhe këshillat studentore.

Në vitin e ri akademik premtohet pajisja me kartën e studentit, transparencë të investimeve në universitete dhe ngritja e bibliotekës elektronike.

Ndërkohë, ministritë do të marrin në patronazh universitetet që kanë lidhje me profilin e tyre, duke mundësuar punësimin e studentëve, financime për auditorët dhe nxitje të kërkimit shkencor.

Bashkia e Tiranës deklaroi nisjen e investimeve në konvikte, por studentët e ngujuar thonë që nuk tërhiqen. Ndërsa opozita përmes deputetes Albana Vokshi ka deklaruar se pakti nuk i ka dhënë zgjidhje kërkesave të studentëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN