Vijon operacioni “Vol-Vo 4”, një tjetër i arrestuar në Shijak

Operacioni “Vol-Vo 4” vazhdon dhe në kuadër të tij, një tjetër person është vënë në pranga këtë mbrëmje.

Siç edhe njofton policia e shtetit, është ekzekutuar urdhër ndalimi për Hekuran Hoxha, 48 vjeç, nga Xhafzotaj, Shijak, pas urdhrit të lëshuar një ditë më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Gazetari i A2, Mariglen Mulla, raporton se, që prej fillimit të operacionit në fjalë, Hoxha ka jetuar po në atë zonë, ndërsa dyshohet të jetë krahu i djathtë i Dritan Avdylin, një prej krerëve të rrjetit kriminal. Ai mbahej nën vëzhgim që kur u lokalizua dhe u arrestua ndërsa po drejtohej për në banesën e tij pa bërë rezistencë. Dyshohet gjithashtu se Hoxha ka ndikim edhe te disa biznese të zonës, edhe pse nuk janë në emrin e tij.

I arrestuari dyshohet për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, “Prodhim dhe fabrikimi i lëndëve narkotike, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN