Aeronautikë, Xhonatan Islami sportisti i vitit

Xhonatan Islami rrëmben për të dytin vit radhazi çmimin “Sportisti më i mirë i vitit”, që akordohet nga Federata Shqiptare e Aeronautikës.

Çmimi i parë për parashutistin e talentuar u dorëzua nga ministri i Turizmit, Blendi Klosi teksa Islami tashmë do të hedhë sytë drejt Botërorit të ardhshëm.

Në vendin e dytë dhe të tretë u ngjitën sportistët, Blerjan Braçe dhe Sidrit Deda. Aktivitet gjatë vitit 2018 kanë qenë të shumta duke nisur nga “Albania Open” në qytetin e Vlorës, duke vijuar me “Gjiro Open Air” në Gjirokastër e duke mbërritur te “Korça Open Air” që ishte edhe superfinalja e Kupës së Botës në precision, turne i cili u zhvillua në muajin dhjetor.

Në të morën pjesë 110 sportistët dhe skuadrat më të mira të globit dhe mes tyre, Shqipëria arriti të zërë vendin e dytë krahas dy skuadrave koreane që u renditën në vendin e parë dhe të tretë.

Kreu i kësaj Federate, Renis Tërshana vlerësoi të gjithë sportistët e talentuar dhe theksoi se në edicionin e ardhshëm do ketë disiplina të reja dhe më shumë pilotë të rinj do të bashkohen aeronautikës shqiptare.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN