Bastet lulëzojnë online, ja si luhet nga Shqipëria

Pikat e basteve janë mbyllur, por shqiptarët mund të vazhdojnë ende të luajnë kumar online. Mjafton një kartë krediti dhe aksesi në internet për të vendosur një skedinë. Pavarësisht se zyrtarisht në Shqipëri nuk ka më kompani bastesh sportive, ligji që ka hyrë në fuqi nga 1 Janari nuk ndalon dot aktivitetin e kompanive të huaja.

Siç mundtë shohim, aksesi është i hapur për dhjetëra faqe të huaja që pranojnë baste nga Shqipëria për gjithçka që nga futbolli deri tek garat me kuaj. Për këtë arsye, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i kanë dërguar AKEP shtatë lista me domainet që duhet t’u bllokohet aksesi në internet.

Në total, numri i këtyre faqeve arrin në 1320. Por edhe nëse do të bëhet bllokimi i të gjitha këtyre domaine-ve, sërish ato mund të aksesohen përmes shërbimeve Proxy, që fshehin vendndodhjen e adresës suaj të internetit, duke anashkaluar në këtë mënyrë filtrat e vendosura nga AKEP.

Nga kjo mundësi kanë përfituar edhe disa kompani shqiptare, që kanë transferuar aktivitetin e tyre në Kosovë. Përmes shërbimit nga palë të treta si Neteller dhe Skrill, është e mundur të depozitosh para, të vendosësh baste dhe të tërheqësh fitimet edhe nga Shqipëria.

Ndërkohë, pas 1 Janarit Policia ka proceduar shumë raste të bizneseve që vijojnë aktivitetin tashmë të paligjshëm të lojërave të fatit në këtë mënyrë. Duket se zbatimi efektiv i ligjit kundër basteve do të jetë shumë i vështirë, në mos i pamundur, për shkak të rrugëve që krijon teknologjia.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN