Droga e Hasit, roli i “Ronit të Shijakut” në trafik – A2

Droga e Hasit, roli i “Ronit të Shijakut” në trafik

Admir Hoxha personi qe ngriti laboratorin e drogës në Has dhe që vijon të mbetet në kërkim mbante kontakte të vazhdueshme me Hekuran Hoxhën të njohur ndryshe si Roni i Shijakut.

Arrestimi i Hekuran Hoxhës erdhi pas dyshimeve se droga e llojit heroinë, por dhe kokainë do trafikohej në disa vende të Bashkimit Europian, por edhe në Kosovë.

Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Admir Hoxha është takuar me 2 turq dhe me një kosovar në hotelin Ador në pronësi të tij në afërsi të Rinasit.

Burimet thanë se takimi mes tij dhe Iskender Saleh, Nedjet Cesuroglu i njohur ndryshe si Lavdërim Limani si dhe me kosovarin, Xhemal Sala u bë për të bashkërenduar trafikun e drogave të forta.

Gjatë kësaj kohë Prokuroria i ka mbajtur në vëzhgim dhe nga hetimet doli se turqit kishin sjellë lëndën e parë për prodhimin e heroinës dhe të kokainës.

Admir Hoxha zotëronte laboratorin në Has, ndërsa Roni i Shijakut do të bënte të mundur trafikimin e saj. Prokuroria dyshon se Hekuran Hoxha është personi i cili hidhte në treg heroinën e kokainën, ndërsa vendet në të cilat ajo trafikohej janë Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Norvegjia, Holanda, Italia dhe Kosova.

Hekuran Hoxha u arrestua dy ditë më parë në zonën e Shijakut dhe ndaj tij rëndojnë 5 akuza. 48-vjeçari që nga miqtë thërritej “Roni i Shijakut” bënte një jetë luksoze në Durrës.

Në tetor të 2018 në Has, policia sekuestroi 185 kilogramë morfinë dhe 22 litra lëndë të lëngshme cila do të përdorej për prodhimin e heroinës. Operacioni i koduar “Volvo 4” prangosi dhe 6 persona 3 prej të cilëve ishin pjesëtarë të së njëjtës familje pasi në banesën e tyre ishte ndërtuar laboratori i drogës.

Shkarkoni aplikacionin e A2