Grekët “nxjerrin” Aleksandrin e Madh në protestë kundër Maqedonisë

Protestuesit u përleshën me policinë në Athinë pasi mijëra vetë kishin dalë në sheshin para Parlamentit për të protestuar marrëveshjen e arritur me Maqedoninë për emrin.

Demonstruesit hodhën gurë, flakadanë dhe bomba artizanale ndaj policisë, që iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Disa prej tyre mbanin në duar edhe një banderolë me Aleksandrin e Madh, të cilin grekët e konsiderojnë helen, ndërsa maqedonasit paraardhësin e tyre.

Të hënën, parlamenti pritet të nisë diskutimet mbi marrëveshjen e Prespës, sipas së cilës Republika e Maqedonisë ndryshon emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut. Parlamenti maqedonas e ratifikoi më parë atë, ndërsa në Greqi shkaktoi pakënaqësi, duke sjellë edhe largimin e ministrit të Jashtëm Nikos Kotzias dhe atij të Brendshëm Panos Kamenos.

Protestuesit janë kundër marrëveshjes, pasi nuk duan që fqinji verior të përdorë emrin e krahinës së Maqedonisë, pjesë e territorit grek. Por edhe pse organizatorët pretendonin të mblidhnin në shesh mbi 600 000 vetë, sipas policisë turma nuk kishte më shumë se 60 000.

Mes figurave publike që folën para njerëzve ishin ish-kryeministri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, një pjesëtar i komunitetit të murgjve në malin Athos dhe pjesëtarë të komunitetit greko-amerikan.

Ndërkaq, në veri të Greqisë, fermerët kanë bllokuar autostradën që të çon në kufirin maqedonas në solidaritet me protestuesit që ndodhen në kryeqytet.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN