Kryesia e PD, emrat e rinj të “kupolës”

Pak muaj para zgjedhjeve lokale dhe në nisje të një sezoni protestash, organet drejtuese të Partisë Demokratike janë rinovuar në pjesën më të madhe.

Si Edi Paloka, ashtu edhe Edmond Spaho e patën të sigurt ripërtëritjen e mandatit që i mban në krah të Lulzim Bashës në parti. Për dy nënkryetarët e Partisë Demokratike nuk pati kandidatura alternative, duke i siguruar qëndrimin në krye të kupolës drejtuese të partisë edhe për 4 vite.

Ndryshe ndodhi me sekretariatin e partisë pas votimit, ra në sy zhvendosja e Arben Ristanit nga posti i sekretarit të përgjithshëm drejt Komisionit të Apelimit.

Ristani u zëvendësua nga Gazment Bardhi, që deri pak ditë më parë ishte në krye të Departamentit ligjor në PD, i njohur për angazhimin në një sërë skandalesh që përfshinë qeverinë Rama në veçanti me çështjen “Tahiri” dhe atë të vëllait të Fatmir Xhafajt.

Ra në sy votimi për Çlirim Gjatën që u zgjodh Sekretar për Çështjet Ligjore. Ish-kryetari i KQZ-së ka qenë një prej mbrojtësve të qëndrimit opozitar në veçanti përkundrejt reformën në drejtësi.

Rikthehet në parti Bujar Nishani, si Kryetar i Këshillit Kombëtar, një post që ish-presidenti e ka mbajtur.

Të pafat Ervin Salianji, Aldo Bumçi, Roland Bejko, Gerti Bogdani dhe Luçiano Boçi që megjithëse morën votat e mjaftueshme për të qenë në kryesi, u përjashtuan nga lista për shkak të respektimit të kuotave për barazinë gjinore.

“Nuk ka rëndësi nëse luan pa top apo luan me intrigë, unë luaj me me zemër dhe do të vazhdoj të kontribuoi fuqishëm edhe pa pasur një funksion”, u shpreh Salianji.

Emrat e tyre zëvendësohen nga Izmira Ulqinaku, Orjola Pampuri, Dhurata Çupi dhe Grida Duma, të cilat dhe pse nuk i kishin votat e mjaftueshme përfituan nga kuotat prej 30% që i rezervohen grave në parti. Nuk kanë mundur dot të marrin votat e nevojshme për të hyrë në kryesi edhe emra që kanë kontribut mbi 20-vjeçar në parti si Tritan Shehu, Genc Pollo apo dhe deputetë si Gent Strazimiri, Agron Shehaj, Bardh Spahia, Klevis Balliu, Nada Mecorapja, Valentina Duka dhe Xhemal Gjunkshi.

Në zgjedhjet e të shtunës votuan 328 anëtarë nga 355 që janë në total në këshill.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN