Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Protesta e dhunshme në Athinë, 25 policë përfundojnë në spital

Nga A2 CNN
20 Janar 2019, 21:30 | Ballkani

Protesta kundër marrëveshjes së Prespës mes Athinës dhe Shkupit degjeneroi në përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve në sheshin Sintagma.

Mijëra vetë, të thirrur përmes rrjeteve sociale u mblodhën në mesditë përpara Parlamentit, në tubim me thirrjet “Maqedoni do të thotë Greqi” e duke e cilësuar marrëveshjen e Prespës si tradhti të hapur.

Protestuesit çanë gardhin e policëve përpara hyrjes së Parlamentit duke hedhur gurë, shkopinj dhe flakadanë në drejtim të tyre, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Në orët e mbrëmjes, policia me anë të një deklarate bëri edhe bilancin e protestës, ku bëri të ditur se 44 persona kanë mbetur të plagosur mes të cilëve 25 policë kanë përfunduar në spital. Po ashtu, policia raportoi se ka vënë në pranga 7 protestues, të akuzuar për dhunën.

Protesta vjen pak ditë përpara se parlamenti grek të votojë marrëveshjen për çështjen e emrit me Maqedoninë. Kryeministri Alexis Tsipras akuzoi ekstremistët se po tentojnë të hyjnë në Parlament me dhunë, duke plagosur dhjetëra forca policie, përfshirë edhe një fotograf.

1500 forca policie rrethuan sheshin “Sintagma” përpara Parlamentit në një protestë, ku organizatorët thanë se mblodhi 600 mijë grekë, ndërsa policia në një deklaratë zyrtare tha se në të morën pjesë jo më shumë se 60 mijë vetë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë