Rama takon Thaçin para votimit si ministër i Jashtëm – A2

Rama takon Thaçin para votimit si ministër i Jashtëm

Pasditen e të hënës Parlamenti do të votojë Kryeministrin Edi Rama edhe si ministër të Jashtëm. Kreu i qeverisë u dekretua të premten nga Presidenti Meta për të mbajtur detyrën që deri më tani është ushtruar nga Ditmir Bushati.

Rama e ka bërë të qartë se de fakto do të jetë Gent Cakaj, zëvendësministri i jashtëm, ai i cili do të drejtojë dikasterin.

Në të njëjtën seancë sipas agjendës do të përcaktohet shpërndarja nëpër komisione të ministrave të shkarkuar të mërkurën, por edhe zëvendësimi i deputetëve dhe kryetarëve të komisioneve që u zgjodhën ministra në seancën e jashtëzakonshme të javës së kaluar.

Ende pa u votuar nga Parlamenti dekreti qe i jep zyrtarisht detyrën si ministër i Jashtëm, Kryeministri Rama u ul në një takim me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Takimi informal mes te dyve u zhvillua paraditen e kësaj të diele, ne një nga lokalet e Tiranës. Foto e të dyve u shpërnda në rrjetet sociale nga vetë Rama.

Thaçi dhe Rama janë dy politikanët që kanë mbajtur qëndrime pro korrigjimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, por të dy janë përballur me një seri akuzash në lidhje me këtë temë. Thaçi ka folur hapur për opsionin e korrigjimit te kufijve me Serbinë, ndërsa Rama ka kërkuar një debat të përgjegjshëm për këtë temë.

Qëndrimi për ndryshimin e kufijve, u be shkak për refuzimin e kandidaturës së Gent Cakajt për ministër të Jashtëm nga Presidenti Meta.

Shkarkoni aplikacionin e A2