Ervin Salianji dorëhiqet si sekretar grupi i PD

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është dorëhequr nga posti i sekretarit të grupit.

“Falenderoj demokratët dhe miqtë që më kanë mbështetur dhe më mbështesin! Numërimi për kryesinë më nxori jofitues me 1 votë, kjo matematikë duhet lexuar me përgjegjësinë e duhur. Ndaj duhet marrë koha e nevojshme për të vendosur se çfarë duhet të bëj më shumë për të merituar besimin, për të luftuar me qeverinë, apo të bëj opozitë më të fortë për të qenë përfaqësues i demokratëve për një fitore edhe në numra edhe në frymë”, shkruan në postimin e tij në “Facebook” Salianji.

Më tej, ai shkruan se Partia Demokratike ka nevojë për vendosjen e një standardi përgjegjësie, ku secili sipas funksionit mban përgjegjësi.

“Gjykoj që çdo herë verdikti duhet lexuar qartë dhe duhen mbajtur përgjegjësi, mendoj që politika dhe Partia Demokratike ka nevojë për vendosjen e një standardi përgjegjësie, ku secili sipas funksionit mban përgjegjësi! Gjykoj që dorëheqja shumë shpesh e munguar në politikë duhet të kthehet standard! Funksioni im politik si sekretar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike i takon të zgjidhet për parim nga kryesia e re, për këtë arsye jap dorëheqjen! Kjo me jep më shumë mundësi të takoj dhe dëgjoj demokratet për t’u përgatitur, dhe për të bërë fushatë për të rifituar besimin e organeve të larta të partisë! Nga nesër, si përherë, do të jem në terren për të organizuar dhe mbështetur protestat e vendosura nga mbledhja e Këshillit Kombëtar! Largimi i Ramës nëpërmjet protestave si objektiv i vendosur tashmë do jetë prioriteti dhe lufta e gjithë demokratëve, ashtu si dhe imja!”, mbyllet postimi i Salianjit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN