Kryesia e re dhe e vjetër e PD përballet në A2 – A2

Kryesia e re dhe e vjetër e PD përballet në A2

Organet drejtuese të Partisë Demokratike janë rinovuar krejtësisht.

Por votimi ka lënë të pakënaqur edhe një sërë emrash aktivë deri tani në opozite, por që nuk ia dolën të jenë pjesë e strukturave të reja. Çfarë po ndodh me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike? Për të folur rreth këtyre çështjeve, në studiot e A2 u përballën  Gentian Malko, ish anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike, dhe Fatbardh Kadilli, i sapo rizgjedhur anëtar i kryesisë.

Për Malkon, një nga zërat kritike brenda Partisë Demokratike, partia e udhëhequr nga Lulëzim Basha po shndërrohet me rezultatet e fundit të zgjedhjeve në kryesi në ”një parti me një strukturë që nuk do të ketë më zëra kundra”, ku sipas tij “nuk mund të ketë garë reale, kur gjysma e njerëzve në Këshill Kombëtar  vendosen me një listë në mes të natës, dhe pastaj ato zgjedhin kryesinë”.

Dhe bën një shembull konkret.  “Shihni rezultatet e sekretariatit, të gjitha votimet janë 270 me 50, nuk është tregues ky?”.

Fatbardh Kadilli ka mendim diametralisht të kundërt. Sipas tij, zgjedhjet e fundit që përcaktuan lidershipin e partisë më të madhe opozitare “kanë qenë më të mirat që kemi patur. Për herë të parë kryetarët e grup seksioneve, që janë rreth 800 në vend, u  zgjodhën me parimin “një anëtar një votë”.

Akuzave të Malkos që partia nuk ka patur fluks të ri, dhe që lideri Basha nuk ka arritur të krijojë “impaktin e duhur në opinionin publik”, Kadilli i përgjigjet që partia përkundrazi “tregoi respekt për të kaluarën e tij, për investimet në kohë që secili ka bërë”.

Po një figurë historik e kalibrit të Jozefina Topallit? “ Largimi i saj nuk dëmton PD-në, nuk është normale që një nënkryetare partie të flasë kundër partisë ditën që nuk ndodhet në listë”.

Debati nxehet dhe Kadilli akuzon Malkon se e ka shndërruar gjithçka në një betejë personale, “të ka mbetur gozhda te lista!…” dhe që një politikan nuk ka nevojë për praninë në forume për të qenë i tillë: ”Sali Berisha, Dashamir Shehi, Spartak Ngjela, kanë nevojë këto figura për të qenë të përfaqësuar diku për të bërë politikë? Padyshim jo”, thotë Kadilli.  

Por Malko i përgjigjet duke nënvizuar faktin që ai debatet dhe kritikat i ka bërë edhe kur ishte në Kryesi “po të kisha problem me karrierën nuk do bëja këto debate”, dhe se një gjë një politikan nuk duhet të tradhtojë, dhe kjo gjë është integriteti.

Shkarkoni aplikacionin e A2