PS mbledh kryesinë, rokadë në komisionet parlamentare

Sot, Kryeministri Rama ka thirru mbledhjen e radhës së kryesisë së Partisë Socialiste.

Mbledhja e së hënës vjen tashmë e përjavshme ndërsa socialistët kanë nisur organizimin për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Mbledhja nuk do të mbahet në selinë rozë, por në ambientet e Kryesisë së Kuvendit rreth orës 16:30. Të pranishëm do të jenë edhe ministrat e rinj.

Mbledhja e kryesisë ka caktuar edhe pasuesit e ministrave që lanë karriget bosh në komisione. Burimet nga mbledhja thanë për A2 se drejtimin e Komisionit të Ekonomisë do ta marrë ish-ministri Arben Ahmetaj, duke zëvendësuar Erjon Braçen.

Komisioni i veprimtarive prodhuese do të drejtohet nga ish-ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi pas largimit të Eduard Shalsit.

Te komisioni i ekonomisë, nënkryetarja Elisa Spiropali zëvendësohet nga Klodiana Spahiu. Ndërsa të integrimi, nuk do të kemi një ndërrim “kokë më kokë” me ish-kryediplomatin Ditmir Bushati. Burimet thonë se socialistët kanë vendosur t’ja japin këtë detyrë ish-zv.kryeministres Senida Mesi.

Por Ditmir Bushati nuk do të jetë thjesht deputet, por edhe kryesues i delegacionit të OSBE. Largimi i Bledi Çuçit ka lënë dhe një tjetër funksion bosh, atë të bashkëkryesimit të komisionit të reformës zgjedhore me Oerd Bylykbashin e PD. Nga sot, reforma zgjedhore do të diskutohet me Blerina Gjylametin.

Përveç emrave, kryesia ka diskutuar edhe për çështjet organizative të partisë. Vendimet pritet t’i komunikohen grupit në mbledhjen e orës 16:30, para nisjes së sesioni të ri parlamentar.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN