Kokëdhima: Rama armik i Republikës. Ka përqafuar projektin e Vucic

“Rama nuk ka lidhje me kushtetutën, është armik i Republikës, autokrat, thjesht i pabesueshëm”.

E thënë nga ai që deri pak vite më parë dukej si një nga sponsorët më të mëdhenj të kryeministrit Rama, si dhe “gjenerali” i tij në Jug, përkufizimi bën disi përshtypje.

Por kjo nuk e zmbraps Koço Kokëdhimën. “Unë lexoj veprimet dhe i vej emrin që kanë. Rama në pushtet ka vepruar me liritë politike dhe njerëzore në mënyrën që thashë më sipër”.   

Edhe emërimet e fundit e bindin për këtë. “Profile të ulëta, por nuk mund të ndodhte ndryshe. Ai zgjedh lajkatarë, servilë, që të përligjin faktin që ai është Zoti, Dielli”.

Haradinaj dhe Kokëdhima janë takuar pak kohë më parë. I ndan shqetësimet e Kokëdhimës edhe kryeministri kosovar? “Nuk më ka thënë asgjë, dhe nuk më pëlqen të flas për Ramën me të tjerë. Respektoj kryeministrin  e Kosovës sepse familja e tij i ka dhënë tre dëshmorë, ka treguar qëndrime atdhetare. Ne si Zgjidhje mbështesim embargon e produkteve serbe, si dhe përpjekjet për integrimin e Shqipërisë me Kosovën” .

Por rikthehet te Rama. “Ky njeri ka përqafuar planin e Vucic, dhe punon për planin e Vucicit për ndarjen e Kosovës”, por që “nuk del dot haptazi” sepse “kontestimi për këtë plan është shumë i lartë”.         

Për iniciativën e eliminimit të kontrollit të dyfishtë, Kokëdhima duket i bindur që ajo është ”ide, iniciativë dhe meritë e kryeministrit Haradinaj”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN