Kupa: Goleadë e Partizanit, fiton edhe Skënderbeu – A2

Kupa: Goleadë e Partizanit, fiton edhe Skënderbeu

Nuk ka surpriza në ndeshjet e para të Kupës së Shqipërisë. Partizani dhe Skënderbeu bën detyrën dhe pavarësisht vështirësive me të cilat u përballën gjatë ndeshjes, ia dolën të fitonin, duke hipotekuar kualifikimin në çerekfinale.

Partizani fitoi 4-2 përballë Kastriotit, në një takim ku goleada e realizuar nuk arrin të zbehë problemet e shumta që u regjistruan. Nga fillimi i ndeshjes me 18 minuta vonesë, për shkak të vonesave në pagesa për stadiumin Redi Maloku në Fushë Krujë, te fusha e cila ishte në gjendje katastrofike dhe jashtë çdo standardi për një ndeshje futbolli.

Të gjitha këto situata ndikuan te Partizani, që pas 13 minutave e pa veten në disavantazh, pas golit mjaft të bukur të Vatnikajt. Megjithatë reagimi ishte prej kampionësh, me të kuqtë që përmbysën rezultatin prej pjesës së parë me Hebajn dhe Mensah.

Terrene vërtet të rënduara sot në ndeshjet e Kupës

Tashi dhe përsëri Hebaj shënuan edhe dy gola të tjerë në harkun e 5 minutave në pjesën e dytë, ndërsa goli i Shehut ishte vetëm për statistikë.

Fitore regjistroi edhe Skënderbeu, që pavarësisht formacionit të gjymtuar, kaloi 2-1 në fushën e Besëlidhjes me golat e Oto Xhon dhe Gripshit, ndërsa merita për suksesin kishte edhe portieri Aldo Teqja, i cili ishte vendimtar me disa pritje.

Kupa do të vazhdojë këtë të mërkurë me ndeshjet e Grupeve A dhe B, ku ndeshja më e rëndësishme është ajo ndërmjet Tiranës dhe Flamurtarit.

Shkarkoni aplikacionin e A2