Pedagogët dhe protesta, Mërtiri: Vendi i vetëm ku kryeministri i poshtëron dhe ata përtypin gjithçka – A2

Pedagogët dhe protesta, Mërtiri: Vendi i vetëm ku kryeministri i poshtëron dhe ata përtypin gjithçka

Dje pedagogët e fakultetit të Histori-Filologjisë, u mblodhën në oborrin e tij dhe shpallen një greve e cila parashikon bojkot të mësimit dhe një liste me kërkesa që duhen plotësuar.

Me pedagoget u bashkuan edhe studentet të cilët janë në një proteste të vazhdueshme për plotësimin e 8 pikave. Në studion e A2 ishin të ftuar për të diskutuar mbi këtë temë profesori i historisë Romeo Hanxhari dhe sociologu Ergys Mërtiri.

Sipas Hanxharit, qeveria ka ushtruar presion ndaj trupit akademik,  “pedagogët po cenohen padrejtësisht, u ndjemë të provokuar”, dhe Mërtiri shkon edhe më tej, duke deklaruar që po kërcënohen të gjithë ato që shkojnë në protestë, vetë studentët janë kërcënuar”.

Sipas sociologut, kudo që ka pakënaqësi kryeministri kontrollon përmes asaj që ai cilëson si “diktatura e bukës”.   “Ky është i vetmi vend ku kryeministri del, kërcënon dhe poshtëron stafin pedagogjik, dhe ata përtypin gjithçka  dhe vazhdojnë”. Kjo, sipas Mërtirit, ndodh sepse krerët e akademisë janë “në pjesën më të madhe të korruptuar” dhe shantazhohen lehtësisht.

Romeo Hanxhari nuk është aq drastik, madje refuzon korrupsionin e gjerë, por pranon nevojën për një “qarkullim të elitave” ku politika mos të ndërhyjë: “Ne na gjykojnë studentët, nuk na gjykon dot ministria”,  thotë ai, “ka një domethënie që emërimi i Rektorit firmoset nga vetë Presidenti, për të kuptuar rëndësinë e Universitetit, që është vatër e demokracisë dhe debatit, aty ku studentet mësohen të mendojnë si të lirë. Në momentin që ky moment cenohet , cenohet edhe liria”.

Protesta duket sikur po përballet me një ngërç, ku studentët duket sikur po fillojnë të përçahen, jo në kërkesat e tyre, por në vazhdimin e bojkotit.

Sipas Mërtirit, “në forumet pro qeveritarë, Rama ia ka dal të përçajë. Të duash të hysh në leksion i jep një dorë kryeministrit, ndërkohë që kërkesat nuk janë realizuar. Pse u protesta atëherë?”, pyet sociologu, i cili nënvizon edhe faktin që po qarkullojnë teza sikur studentët duan të rikthehen leksioneve në masë, ndërkohë që sipas tij “70% e studentëve ka votuar kundër”.

Ai gjithsesi mbetet ende pozitiv, duke parashikuar që në qoftë se protesta merr një vrull javët në vijim, ajo “mund të ketë ende revanshin e saj”.

Këtu Hanxhari vijon, duke shtuar që “rendësi ka që kërkesat të pranohen në thelb,  si për shembull me pra fillimin e procesit të amendimit të ligjit”.

Shkarkoni aplikacionin e A2