Qeveria kërkon ngritjen e korporatës së investimeve

Qeveria shqiptare kërkon të ngrejë Korporatën e Investimeve Shqiptare, një shoqëria aksionare me në krye shtetin, që harton dhe zbaton projekte investimi në pronat shtetërore. Ministria e Financave ka dërguar draftin për konsultim publik dhe ekspertët, ndonëse vlerësojnë këtë nismë, ngrenë shqetësime mbi kompetencat që i jepen Korporatës.

“Është shumë e diskutueshme përmbajtja, sa i takon të drejtave që i ofrohen kësaj agjencie dhe statusit të paqartë mbi mbimbulimin e kompetencave me institucionet e tjera që menaxhojnë asetet publike, dhe fondet publike në tërësi; krijimit të një avantazhi konkurrues të padrejtë sa i takon projekteve dhe nga ana tjetër tërheqjes apo ushtrimit të kompetencave që në thelb janë decentralizuar, që lidhen me pushtetin vendor, etj. Pra në thelb e shoh si një eksperiment të paqartë dhe jam skeptik mbi dobinë që ekonomia shqiptare do të ketë nga krijimi i kësaj agjencie”.

Zef Preçi, ekspert për ekonominë

Projektligji parashikon se Korporata e Investimeve Shqiptare mund të marrë në pronësi pronat shtetërore dhe të bashkëfinancojë projekte investimi duke kontraktuar privatin. Shoqërisë i lejohet të marrë kredi, borxh i cili nuk do të njihen si borxh i buxhetit të shtetit. Korporata gjithashtu përjashtohet nga rregullat e prokurimit publik, ndërsa tek ajo mund të bëhen aksionarë institucione financiare ndërkombëtare të Zhvillimit, si Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN