Bushati i dorëzon detyrat Ramës, Kryeministri ia delegon Gent Cakajt

Pas betimit të një dite më parë në Presidencë, në një takim protokollar, Edi Rama është prezantuar ditën e sotme si ministër i Jashtëm, por menjëherë sapo Bushati i dorëzoi detyruar, ashtu siç kishte paralajmëruar, Rama ia delegoi ato Gent Cakajt.

“Ndjeva realisht që nuk do të jem më pjesë e punës së këtij institucioni, por jam me fat që do të jem pjesë e historisë së tij. Nder dhe përgjegjësi pesha e pozicionit të ministrit të Jashtëm. Jam përpjekur të krijoj rrethanat e duhur dhe ambientin e nevojshëm për të dëgjuar, pa paragjykime. Askush nuk ka monopol mbi të vërtetën dhe për rrjedhojë edhe mbi politikën e jashtme. Sot, Shqipëria është një partnerë gjithnjë e më i besueshëm në arenën ndërkombëtare”, tha Bushati.

Më pas, ishte Rama ai që mori fjalën, duke i deleguar menjëherë detyrat Gent Cakajt, kandidatura e të cilit u rrëzua pak ditë më parë si ministër i Jashtëm nga Presidenti i Republikës. “Unë i delegoj zotit Gent çakaj detyrën e përgjegjësisë, brenda dhe jashtë vendit”, tha Rama.

“Të qenit drejtues të këtij institucioni me kompetenca të deleguara, nën vëzhgimin e tij të afërt është një nisje e garantuar”, tha Cakaj ndër të tjera në fjalën e tij.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN