Greqia vendos për emrin, debate të nxehta në Parlament

Diskutimet dy ditore në parlamentin grek për ratifikimin e të ashtuquajturës marrëveshja e “Prespës” nisën më debate të nxehta. Ndërsa hapi diskutimet, deputetja e partisë në pushtet Siriza, Athanasia Anagnostopoulou, tha se ujdia për emrin e Maqedonisë kishte sjellë paqe e stabilitet në rajon.

“Është një marrëveshje historike e cila zgjidh një problem kombëtar që zgjat prej 30 vitesh”, tha Athanasia Anagnostopoulou.

Por George Koumoutsakos, ligjvënës nga partia kryesore opozitare Demokracia e Re, e cilësoi marrëveshjen si një gabim, dhe tha se populli grek dhe historia nuk do ta falte qeverinë.

“Është një nga ato gabime që nëse ndodh është vështirë të korrigjohet. Ka ardhur koha për të marrë përgjegjësitë. Ne themi jo me zë të lartë, ndërsa ju një po të dëmshme. Historia e populli grek nuk do t’ju falin”, u shpreh George Koumoutsakos.

Parlamenti pritet ta ratifikojë marrëveshjen në votimin e 25 janarit, edhe pse me një shumicë të lehtë. Kryeministri i majtë Alexis Tsipras duket se ka siguruar mbështetjen e të paktën 151 deputetëve në parlamentin më 300 vende, jo të gjithë janë nga partia e tij.

Një sondazh i gazetës “Prothothema” tregoi se 66 përqind e personave të intervistuar janë kundër marrëveshjes. Ata e konsiderojnë emrin “Maqedonia Veriore”, një vjedhje të identitetit. Përleshje të dhunshme shpërthyen të dielën në Athinë kundër ujdisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN