Venezuela në kaos. Lideri i opozitës vetëshpallet president, njihet zyrtarisht nga SHBA

Venezuela po përjeton momente ankthi dhe shprese.

Vendi i Amerikës Jugore, tashmë i sfilitur nga kriza politike dhe ekonomike që ka rrënuar mirëqenien e shtetit me 31 milionë banorë, ka arritur sot në një tjetër moment kulminant, me liderin e opozitës dhe njëkohësisht  kreun e Parlamentit Juan Guaido që është vetëshpallur president i përkohshëm deri në zgjedhjet e reja.

Deklarata e bujshme e Guaido u mirëprit nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili e njohu zyrtarisht atë duke shkruar në Twitter: ”Populli i Venezuelës ka vuajtur së tepërmi, kam njohur zyrtarisht Guaido si president”. Vendimit të Trump i është bashkuar Kanadaja, Argjentina, Brazili dhe shumë shtete të tjera të Amerikës Latine, ndërsa Meksika vazhdon të njohë presidentin e zgjedhur Maduro.

Maduro ndërkohë ka thirrur mbështetësit  e tij në pallatin presidencial dhe nga ballkoni i tij ka deklaruar se “ky është një grusht shteti. Jemi shumica, jemi bijtë  e Hugo Chavez. Jemi këtu me vullnetin e popullit dhe asnjë nuk do te na largojë”.  Maduro i ka dhënë 72 orë trupit diplomatik amerikan të lejë vendin, duke vendosur pezullimin e marrëdhënieve me Uashingtonin.

Protesta të shumta po ndodhin në çdo cep të kryeqytetit Karakas dhe në qytete të tjera, nga mbështetës të të dyja palëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2