Premtimi i Vucic për Merkel: Gjejmë zgjidhje për Kosovën – A2

Premtimi i Vucic për Merkel: Gjejmë zgjidhje për Kosovën

Serbia do të bëjë çdo përpjekje për të zgjidhur diferencat me Kosovën. Premtimi është bërë nga presidenti Aleksandër Vucic, gjatë takimit në Davos me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Pas bisedës, kreu i shtetit serb tha se do të angazhohet seriozisht për të mbajtur premtimin e dhënë ndaj Merkelit.

 “Çështja më e rëndësishme që diskutuan ishte sigurisht Kosova, marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe dialogu. Ne folëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe unë i premtova kancelares Merkel se do të bëjmë më të mirën për të arritur një zgjidhje të mundshme kompromisi”, deklaroi presidenti serb.

Pavarësisht fjalës së dhënë, Vuçiç pranoi se nuk është shumë optimist se një zgjidhje e mundshme mund të vijë së shpejti. Presidenti serb është takuar në Davos edhe me komisionerin evropian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, më të cilin diskutoi përsëri për Kosovën.

Zyrtari i Brukselit thotë se 2019 mund të jetë një vit vendimtar për gjetjen e një zgjidhjeje.

Shkarkoni aplikacionin e A2