Veseli: SHBA asnjëherë nuk ka folur për korrigjim të kufijve

I ftuar në studiot e A2 në intervistë me gazetarin Endri Xhafo, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka zbuluar një detaj të rëndësishëm kur deklaroi që letra që presidenti i SHBA Donald Trump i ka dërguar homologut kosovar Hashim Thaçi nuk përmban një kërkesë korrigjimi për kufijtë.  

Sipas Veselit, letra e presidentit amerikan “është një ngjarje shumë pozitive, që ne po e marrim në konsideratë seriozisht”, por që nuk përmban diskutime për kufijtë, sepse “SHBA asnjëherë nuk ka folur për korrigjim të kufijve”.

Hipoteza e shkëmbimit territorial midis Kosovës dhe Serbisë është e propozuar nga Serbia dhe Rusia, dhe nuk është qasja e presidentit Thaçi, i cili është “për një marrëveshje komprensive” ku diskutohet edhe për Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën.

Për këto të fundit, Veseli deklaroi që ai respekton “faktin që këto të jenë brenda Serbisë, por në qoftë se Serbia nuk i trajton ato qytetarë në mënyrë dinjitoze, pse mos të bashkohen?”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN