Dopingu në peshëngritje, 14 vjet skandale

Romela Begaj nuk ishte rasti i fundit i dopingut në peshëngritje. Megjithatë, dënimi me tetë vjet fitueses së medaljes së artë në shkëputje në Botërorin 2017, solli edhe një herë në vëmendje problematikën që gjatë viteve të fundit ka tronditur sportin, i cili i ka sjellë rezultatet më të larta Shqipërisë.

15 peshëngritës të kapur dhe dënuar për përdorimin e substancave të ndaluara ulën imazhin e këtij sporti, që tashmë duhet të rikthejë besueshmërinë dhe sukseset në pedanë.

“Fenomeni ka qenë peshëngritja, me rastet më të mëdha të substancave të ndaluara. Kemi besim se me ndryshimet që kanë ndodhur në Federatën e Peshëngritjes ka ndryshime, por duhet të mbetemi të vëmendshëm”, thotë Stavri Bello, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Në prill 2018, Komiteti Olimpik vendosi ta përjashtojë peshëngritjen nga Lojërat Mesdhetare, si masë për t’i paraprirë dopingut, me misionin: pastrimin e sportit. “Nuk mund të përfitojë bursë olimpike asnjë sportist që edhe një herë në jetën e tij ka përdorur substanca të ndaluara. Është një lloj “vetting”-u në sport”, shtoi Bello.

Sekretari i përgjithshëm i KOKSH, evidentoi edhe një prej problemeve në luftën kundër dopingut. “Mbetet problem funksionimi i Agjencisë Kombëtare Anti-Doping, që është përgjegjëse kryesore jo vetëm për kontrollin, sepse ai është hapi i fundit. Në radhë të parë duhen sqaruar dhe edukuar sportistët dhe trajnerët”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN