Koleksioni i Catherine Deneuve në ankandin e Christie’s – A2

Koleksioni i Catherine Deneuve në ankandin e Christie’s

Një fustan me rruaza, të cilën Catherine Deneuve e mbante veshur në takimin e saj të parë me Alfred Hitchcock në vitin 1969 dhe një duzinë me veshje të tjera glamour, janë pjesë e koleksionit që të premten do të dalin në një ankand të Christie’s në Paris, përpara javës së modës. 

Janë 130 veshje nga më të ndryshmet, të gjithë haute couture, do të dalin në shitje. Mes tyre spikat një fustan, me të cilin Catherine ka shkëlqyer mbi tapetin e kuq, në një mbrëmje të çmimeve Oskar, që mund të shitet nga 2 mijë në 3 mijë euro.  Një mike e ngushtë e aktores tha për mediat se pasi shiti shtëpinë e saj në Normandi, në veri të Francës, aktorja nuk kishte më vend për të mbajtur veshjet e saj, të blera e të realizuara për të, ndër dekada. 

Deneuve, sot 75 vjeç, ende nuk është shprehur se për çfarë do ta përdorë fondin që do të sigurojë nga ankandi. Pjesa më e madhe e koleksionit të aktores është dizajnuar dhe realizuar nga Yves Saint Laurent, një nga stilistët më me influencë në botë, që ndërroi jetë në vitin 2008.

Ata të dy u njohën në vitin 1965, kur Catherine ishte 22 vjeç, dhe ishte në hapat e parë të karrierës së saj. Në atë kohë, Catherine i kërkoi atij ti realizonte një fustan, për një mbrëmje ku për herë të parë do të takohej me mbretëreshën Elizabetë.

 Nga ai moment, mes tyre lindi një miqësi e fortë që zgjati për 40 vjet.

Ankandi do të zgjasë për 6 ditë me radhë dhe pjesë e saj përveç fustaneve glamour, do të jenë edhe kostumet, palltot apo aksesorët.

Shkarkoni aplikacionin e A2