Kriza në Venezuelë, Rusia dhe Kina kundër SHBA

Blloku i disa shteteve që akuzohen për sundim autokratik, mbështesin Nikolas Maduron në krye të Venezuelës.

Rusia, Kina, Turqia dhe Irani dalin kundër Shteteve të Bashkuara duke thënë se përpjekjet e jashtme për të uzurpuar pushtetin në Venezuelë janë shkelje e të drejtës ndërkombëtare.

Sergej Lavrov

Rusia paralajmëroi Uashingtonin që të mos ndërhyjë ushtarakisht në shtetin amerikano latin, duke pretenduar se një veprim i tillë do të kishte pasoja katastrofike.

 “Kjo është një tjetër ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të një shteti sovran. Siç e dini, ka pasur disa përpjekje për të rrëzuar Maduron nga pushteti, përfshirë përpjekjen për eliminimin fizik të tij”, deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Tensioni në Venezuelë erdhi pasi lideri i opozitës u vetëshpall president i përkohshëm i vendit gjatë një proteste në Karakas. Juan Guaidó mori menjëherë mbështetje nga SHBA, duke formuar edhe një ekzekutiv paralel.

I zemëruar me këtë veprim të Uashingtonit, Maduro ndërpreu marrëdhëniet politike dhe diplomatike me SHBA-të. Lideri opozitar Guaido, i cili drejton parlamentin, thotë se fitorja e Maduros dhe presidenca e tij është e paligjshme për shkak të parregullsive dhe mos pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje.

Ai pretendon të drejtojë Venezuelën deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që do të organizohen nga qeveria e tij kalimtare.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN