Kupa e Amerikës, short me fat për Brazilin

Edicioni i 46-të i Kupës së Amerikës, që do të zhvillohet në Brazil nga data 14 qershor, deri më 7 korrik 2019, ka nisur rrugëtimin. Në Rio De Zhaneiro u hodh shorti i turneut, ku 12 skuadrat pjesëmarrëse janë ndarë në tre grupe.

Përveç 10 ekipeve amerikano-latine, aty do të marrin pjesë edhe dy skuadra aziatike, Katari dhe Japonia, me këta të fundit që marrin ftesë për herë të parë prej vitit 1999. Brazili, si skuadër organizatore, u përfshi në Grupin A, me shortin që i buzëqeshi. ‘Seleçao’ do të kenë si kundërshtarë Bolivinë, Venezuelën dhe Perunë. Kjo bën që kualifikimi i Neymar me shokë në çerekfinale të duket një mision mjaft i lehtë.

Pasiguritë më të mëdha ekzistojnë për Grupin B: Argjentina do të përballet me Kolumbinë dhe Paraguain, të cilave u shtohet edhe Katari. Në Grupin C janë Kili, fitues i dy edicioneve të fundit, Uruguai, Ekuadori dhe Japonia. Dy skuadrat e vendeve të para kualifikohen direkt, dhe në çerekfinale atyre u shtohen edhe dy ekipet më të mira të vendeve të tretë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN