Reperët kërkojnë të reformojnë sistemin e burgjeve

Reperët marrin në dorë reformimin e sistemit të burgjeve në Shtetet e Bashkuara. Jay-Z, Meek Mill dhe liderë të biznesit kanë premtuar të mbledhin 50 milionë dollarë për këtë çështje.

Aleanca Reformuese, e inspiruar nga eksperienca e Meek Mill në burg, shpreson të lirojë 1 milion të burgosur në 5 vite, të cilët janë dënuar për shkelje të lehta. Qëllimi i reformës është të ndihmojë personat që kanë ngecur në sistem.

“Unë jam ndër ata që patën fat, edhe pas asaj që kalova. Kemi persona që nuk kanë një zë dhe unë jam këtu për t’i përfaqësuar ata”, tha Meek Mill, reper.

Nga ana tjetër Jay-Z bëri disa sqarime lidhur me Aleancën Reformuese. “Ne duam të jemi shumë të qartë, nëse dikush kryen krim duhet të shkojë në burg. Por ka disa gjëra që janë të tepruara dhe e gjithë bota e di këtë. Shumë nga këto zhvillime ndodhin tani pasi trajtohen si çështje politike”, u shpreh Jay-Z.

Një tjetër qëllim i këtij grupi është të reduktojë ndjeshëm numrin e personave që janë padrejtësisht nën kontrollin e sistemit të drejtësisë kriminale amerikane.

“Për të fituar, ne duhet të përdorim burimet tona të konsiderueshme për të ndryshuar ligje, politika, zemra dhe mëndje”, thuhet në një deklaratë të Aleancës Reformuese.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN