“Luftoni për Europën”, Kadare i bashkohet thirrjes së intelektualëve

“Ideja e Europës është në rrezik. Nga të gjitha anët ka kritika, ofendime dhe dezertime nga kauza. “Boll më me ndërtimin e Europës, le të rifillojmë të lidhemi me shpirtin kombëtar. Le të rizbulojmë identitetin e humbur”. Kjo është agjenda që ndajnë forcat populiste që janë shpërndarë nëpër kontinent. Pa menduar që abstraksione si “shpirt” dhe “identitet” janë shpesh gjëra që ekzistojnë vetëm në imagjinatën e demagogëve.

Europa është nën sulm nga profetë të rremë që janë dehur me fyerje dhe delirantë për mundësinë që kanë për të fituar pak famë. Është braktisur nga dy aleatë të mëdhenj që dy herë e shpëtuan nga vetëvrasja në shekullin e kaluar: një përtej “Kanalit” (të La Manshit) dhe një përtej Atlantikut.

Kontinenti është i brishtë dhe nën ndërhyrjen e pacipë gjithnjë e në rritje të Kremlinit. Europa si ide po shpërbëhet para syve tanë”.

Kështu nis manifesti i 30 intelektualëve, shkrimtarëve dhe fituesve të Çmimit Nobel, mes tyre edhe Ismail Kadare, i botuar në disa prej gazetave më në zë të kontinentit, si “Liberation” dhe “The Guardian”.

Sipas tyre tani është momenti për të luftuar, përndryshe Europa do të shkërmoqet nën dallgët e populizmit.

Teskti është shkruar nga filozofi francez Bernard-Henri Lévy, ndërsa mes firmëtarëve më të famshëm, janë romancierët Ian McEwan dhe Salman Rushdie, historiani Simon Schama dhe fituesist e Çmimit Nobel , Svetlana Alexievitch, Herta Müller, Orhan Pamuk dhe Elfriede Jelinek.

Në një prononcim për “The Guardian”, Rushdie tha: “Europa është tani në rrezikun më të madh në 70 vitet e fundit, dhe nëse dikush beson te kjo ide është mirë që të ngrihet tani dhe të dalë në ballë”.

Firmëtarët e manifestit: Vassilis Alexakis, Svetlana Alexievitch, Anne Applebaum, Jens Christian Grøndahl, David Grossman, Agnès Heller, Elfriede Jelinek, Ismail Kadare, György Konrád, Milan Kundera, Bernard-Henri Lévy, António Lobo Antunes, Claudio Magris, Ian McEwan, Herta Müller, Lyudmila Ulitskaya, Orhan Pamuk, Rob Riemen, Salman Rushdie, Fernando Savater, Roberto Saviano, Eugenio Scalfari, Simon Schama, Peter Schneider, Abdulah Sidran, Leïla Slimani, Colm Tóibín, Mario Vargas Llosa, Adam Michnik and Adam Zagajewski.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN