Kuvendi “rrëzon” Metën për Bahri Shaqirin

Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar kandidaturën e Bahri Shaqirit për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, propozuar nga Presidenti Ilir Meta. Me votat e gjithë pjesëtarëve të shumicës në komision, dekreti i presidentit nuk u miratua dhe në Parlament do të shkojë drafti për rrëzimin këtij propozimi.

Kandidatura e ish-kreut të Shërbimit Informativ ishte e dyta e rrëzuar nga mazhoranca, pas asaj të Vitore Tushës, ndërsa pozicioni ka mbetur vakant pas mbarimit të mandatit të Bujar Leskajt.

Gjatë fjalës së tij, Shaqiri vlerësoi komisionin për shqyrtimin e kandidaturës. “Detyrën e kreut të KLSH e konsideroj si përgjegjësi shumë të madhe, që përputhet me profesionalizmin tim. Lufta kundër korrupsionit është kyçe për integrimin e Shqipërisë. Kjo do të jetë përparësi në punën time”, tha Shaqiri.

Mazhoranca më parë, përmes disa përfaqësauesve të saj, kishte deklaruar se kandidati në fjalë nuk ishte i duhuri për këtë pozicion pasi nuk ka eksperiencë në fushën e financave, një kriter ligjor ky për postin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Këtë e vuri në dukje edhe kryetari i komisionit, Arben Ahmetaj. “Referuar të gjithë tagrit kushtetues të këtij komisioni, i dërgon seances vendimin për mosmiratimin e kësaj kandidture për KLSH”, tha Ahmetaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN