A po rikthehet imuniteti për deputetët?

Kur Prokuroria e Përgjithshme kërkoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në tetor të vitit 2017, socialistët refuzuan me arsyetimin se indiciet dhe dyshimet e arsyeshme të prokurorëve nuk mjaftonin. Deputetët e mazhorancës kërkuan prova nga prokurorët, para se ta dorëzonin kolegun e tyre në duart e gardianëve të burgut.

Ky qëndrim, ishte në bazë të argumentimit të votës kundër të Partisë Socialistë në parlament për arrestimin e Tahirit dhe tashmë po përgatitet të jetë pjesë e rregullores së Kuvendit.

Në nenin 65 të rregullores së Kuvendit, socialistët kërkojnë nga prokurorët të paraqesin provat që ka për arrestimin e një deputeti.

Opozita e ka kundërshtuar ashpër nismën që e bën akoma më të vështirë arrestimin e deputetëve. Sipas demokratëve, po tentohet të rikthehet në Kuvend imuniteti i deputetëve.

Përse socialistët po këmbëngulin për ta bërë më të vështirë arrestimin e politikanëve? A lidhet kjo me krijimin e Prokurorisë Speciale dhe si do të ndikojë në luftën kundër korrupsionit?

Për këtë temë ishin të ftuar në “A2 Debat”, deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia dhe kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka.

Qefalia u shpreh se Prokuroria duhet të bazohet në fakte dhe jo siç është bërë me rastin Tahiri.

“Na rastin e Tahirin, opozita ndërmori ato veprime për të njollosur figurën e një ish-anëtari të kabinetit qeveritar. Prokuroria hetoi dhe hetimet vetëm zgjaten, ndërsa nuk është vërtetuar asgjë nga akuzat politike. Nisma duhet të shikohet si një mundësi që prokuroria të bazohet në fakte dhe jo në indicie”, u shpreh Qefalia.

Nard Ndoka u shpreh se mazhoranca ka tendencën për të përdorur mekanizma bllokues për mbrojtjen e politikanëve që janë nën akuza.

“Është më tepër se rikthim i imunitetit për deputetët. Çdo ndryshim në Kushtetutë është bërë me konsensus, ndër vite. Ka pasur tendenca nga kjo mazhorancë duke përdorur mekanizma bllokues për të krijuar mbrojtje për politikanët që janë nën akuzë dhe kjo është absurde. Kjo tregon frikën që ka kapur këtë mazhorancë”, tha Ndoka.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN