I ftohti në SHBA u merr jetën 6 personave

I ftohti polar ka përfshirë Shtetet e Bashkuara. Edhe për personat më të fortë, temperaturat ekstreme mund të jenë të rrezikshme.

Të paktën 6 persona kanë humbur jetën në SHBA si rezultat i motit arktik. I ftohti polar do të prekë 250 milionë amerikanë, shumë prej të cilëve do të përjetojnë temperatura ekstreme nën zero.

Termometri shënoi -30 gradë celsius në Çikago dhe -37 gradë celsius në Dakotën e Veriut. Gjendja e emergjencës është shpallur në Uinskonsin, Miçigan, Illinois, Alabama dhe Misisipi. Meteorologët amerikanë theksojnë se kjo vorbull polare do të hyjë në histori. Rrugët janë bërë të rrezikshme nga akulli dhe dëbora duke shkaktuar qindra aksidente.

“Ecni me kujdes, mbani distancë me makinat e tjera përpara jush dhe përgatituni për kushte të këqija”, tha një oficer policie.

Qindra shkolla janë mbyllur në shtetet e prekura nga vorbulla polare. Mijëra fluturime u anuluan. Ndërsa janë pezulluar edhe disa linja treni. Kjo situatë mund të vijojë për disa ditë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN