Venezuelë, Gjykata i heq pasaportën liderit të opozitës

Gjykata e Lartë e Venezuelës i ka ndaluar Huan Guaidos, që të largohet nga vendi si dhe i ka ngrirë llogaritë bankare. Kjo lëvizje vjen mes përshkallëzimit të luftës për pushtet, pasi lideri opozitar u vetëshpall president i përkohshëm javën e kaluar.

Guaido u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera. Nga ana tjetër edhe Nicolas Maduro ka aleatë të fuqishëm, përfshirë Rusinë. Në një intervistë, ai thotë se është i gatshëm të mbajë negociata me opozitën.

Maduro lëshon akuza shumë të rënda ndaj presidentit amerikan. “Nuk ka asnjë dyshim që Donald Trump ka urdhëruar vrasjen time, ai i kërkoi qeverisë dhe mafies Kolumbiane që të më vrasë. Nëse më ndodh diçka, Donald Trump dhe presidenti i Kolumbisë, Ivan Duquedo të jenë përgjegjës”, deklaroi presidenti.

Ndër të tjera, Maduro përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale, duke thënë se mandati i tij përfundon në vitin 2025.

Në këtë mënyrë ai kundërshton edhe ultimatumin e Bashkimit Evropian për të zhvilluar zgjedhje të reja. Në të kundërt, Brukseli paralajmëron të njohë Guaidon si president të Venezuelës.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN