Dosja 339 “përplas” deputetët e PS-PD në “A2 Debat”

Disa faqe përgjimesh të Prokurorisë se Krimeve të Rënda, që u publikuan nga rrjeti investigativ Birn janë bërë temë dite e politikes shqiptare.

Faktet e publikuara në media kanë shkaktuar debate të forta në parlament, por ajo që ra në sy ishte përplasja mes kryeministrit Rama dhe paraardhësit të tij në detyrë, Sali Berisha.

Për të folur për zhvillimet e fundit politike në vend, ishin të ftuar në “A2 Debat” deputetja e PS, Elona Gjebrea dhe deputeti i PD, Aldo Bumçi.

Deputeti i PD u pyet mbi deklaratën e Ramës në Kuvend se Berishës i është refuzuar viza nga SHBA dhe nëse ka tension mes PD dhe Ambasadës Amerikane.

“Edi Rama është në hall të madh dhe në këtë hall të madh e ka futur vetja e tij dhe aleanca me krimin. Kjo dihet pasi e tha edhe “Zëri i Amerikës”. Ai e quajti brenda një jave për herë të dytë “Kazan”, “Zërin e Amerikës”. Këto përgjime, nga e njëjta dosje, prekin karrigen që është ulur Edi Rama. Shqiptarët i dinë të gjitha, por pas këtyre publikimeve marrin tjetër vëmendje. Hetimet nuk kanë nisur për blerjen e votës, por për trafikun ndërkombëtar të drogës dhe rastësisht ka dalë biseda e Dakos që flet për vota, për lekë dhe më pas i falënderon edhe për rezultatin, grupin e Shijakut. Kjo është pranuar edhe nga Dako. Rama ishte i zverdhur në Kuvend, në hall të madh dhe sot ai nuk ka më legjitimitet të jetë më Kryeministër i Shqipërisë. Ai është me vota të vjedhura, e ka zhytur këtë vend në depresion.

Ndërkohë, Elona Gjebrea u shpreh se sa i përket përgjimeve të Zërit të Amerikës, do të jetë Prokuroria që do të thotë fjalën e fundit.

“Opozita bëri një shfaqe të shëmtuar sot në Kuvend. Sjellje e patolerueshme përballë ministres që e kishte daljen e në Kuvend. Kjo ndikon edhe të qytetarët. Shfaqe të tilla e prishin dialogun. Fjalori i papërshtatshëm dhe mungesë etike. Në gjithë këtë rrugëtim, sigurisht që edhe mund të kemi gabuar, por jemi në një filozofi të qartë që kërkon edhe një mbështetje të qytetarëve. Me statistikat abuzohet siç ka bërë opozita në lidhje me personat e larguar nga vendi. Ne nuk duhet të krijojmë panik të qytetarët. Mendoj se duhet pak kujdes sepse krijon perceptime te gabuara. Sa i përket rastit të “Zërit të Amerikës”, Prokuroria do thotë fjalën e fundit”, u shpreh deputetja e PS.

Më tej, Bumçi u shpreh se jo vetëm bashkia e Durrësit, por edhe në 3 të tjera është zbuluar blerja e votave. “Përgjimet nxjerrin përveç Dakos, edhe ish-kryetarin e bashkisë së Kavajës për blerje votash, po ashtu edhe Lezhën dhe Dibrën. Rama nuk mund të distancohet dot, pasi është i lidhur me krimin dhe drogën”, tha Bumçi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN