Kampionati dhe kombëtarja, sfidat e Valdet Ramës

Nga elita e futbollit kinez, në kampionatin shqiptar me Kukësin. Në mes janë 14 muaj të kaluar pa skuadër, por edhe shumë stërvitje te gjigandët gjermanë të Schalke-s. Kategoria Superiore do të jetë sfida e radhës për Valdet Ramën, pse jo edhe një mundësi për t’u rikthyer në lojë.

“Për pesë muaj jam stërvitur rregullisht me Schalken. Nuk ka qenë e lehtë, por pas aventurës në Kinë dëshira sërish të kthehesha në Gjermani. Isha në bisedime me disa klube, por nuk gjetëm marrëveshje. Tani erdhi rasti të vija në Shqipëri: këtu flas gjuhën, e ndjej veten si në shtëpi dhe ku kam luajtur me Kombëtaren. Nuk kam patur asnjë frikë që të vijë këtu”, shprehet Valdet Rama.

Zgjedhja e Kukësit, nuk ishte aspak e vështirë.

“Ditët e fundit kam qenë në kontakt me klubin, e ndjeva veten mirë dhe vendosëm së bashku me familjen të firmosja marrëveshjen. Jam i lumtur që u realizua”, tregon futbollisti.

Fakti që do të jetë në Shqipëri, mund ta ndihmojë të rikthehet në Kombëtare, aty ku deri në vitin 2015 ka qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm.

“Me trajnerin (Panuçi) nuk kam patur asnjë kontakt. Kam ardhur të tregoj veten, të kem sukses. Për të tjerat nuk e kam menduar, çfarë do të vijë, le të vijë”, tha Valdet Rama.

Me afrimin e Valdet Ramën, Kukësi konfirmoi se përveç ambicieve për titullin, po ndërton një skuadër e cila do të realizojë ëndrrën e pjesëmarrjes historike në grupet e kupave të Europës.

“Ëndrrat duhen për të patur sukses. Nëse punon fort dhe e jep maksimumin, gjithçka në jetë është e arritshme”, thotë futbollisti i Kukësit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN