SHBA: Lufta dhe Rusia, kërcënime për Ballkanin

Një konflikt i mundshëm ushtarak dhe Rusia, janë kërcënimet kryesore për sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Paralajmërimi serioz bëhet nga Inteligjenca e Shteteve të Bashkuara, që ka publikuar një raport rreth vlerësimit të kërcënimeve në botë për vitin 2019.

“Ballkani Perëndimor, pothuajse me siguri do të mbetet ende në rrezik për të pasur dhunë të nivelit të ulët dhe ndoshta të ndonjë konflikti të hapur ushtarak gjatë vitit 2019. Rusia do të kërkojë të shfrytëzojë tensionet etnike dhe nivelet e larta të korrupsionit për të penguar vendet e këtij rajoni që të lëvizin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe NATO”, thuhet ndër të tjera në raport.

Raporti publikohet në një moment kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë në nivele të larta. Prishtina nuk pranon të heqë taksën 100%, ndërsa Beogradi thotë se pa revokimine saj nuk do të ketë dialog mes palëve.

Gjithashtu raporti vjen pas vizitës së presidentit rus, Vladimir Putin në Serbi, ku shfaqi hapur ambiciet e tij për të përhapur ndikimin e Kremlinit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN