Cakaj nis punën si kryediplomat, takohet me homologun grek

Pas delegimit të kompetencave nga Kryeministri Rama si ministër i Jashtëm, Gent Cakaj ka nisur punën duke marrë pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate, i cili zhvillohet në Bukuresht më 31 janar-1 shkurt.

Gent Cakaj zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe në Rumani, vend i cili mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.

Cakaj është takuar edhe me homologun e tij grek, Georgios Katrougalos dhe për këtë takim është publikuar edhe një foto nga Ministria e Jashtme greke në Twitter.

Ndërkohë, në takimin me Ministrin rumun të Shtetit për Çështjet Evropiane George Ciamba, diskutimet u përqendruan në mbështetjen e Presidencës rumune të Këshillit të BE-së për axhendën evropiane të Shqipërisë.

Ministri në detyrë Cakaj, shprehu vlerësimin e lartë për përparësinë që programi i Presidencës rumune të BE-së i kushton procesit të zgjerimit të Unionit në Ballkanin Perëndimor. Pasi nënvizoi arritjet e deritanishme në procesin e reformave që lidhen me konsolidimin e shtetit ligjor dhe me përparësitë kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, Ministri në detyrë Cakaj shprehu angazhimin e vendosur për thellimin e tyre. Çelja e bisedimeve të anëtarësimit, u shpreh Cakaj, përveç se njohje e merituar e arritjeve në plotësimin e përparësive kyçe, do të jetë edhe një busull orientuese për më tej.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN