KPK, më 19 mars nis gara për Prokurorin e Përgjithshëm – A2

KPK, më 19 mars nis gara për Prokurorin e Përgjithshëm

Më 19 mars pritet të hapet gara për Prokurorin e Përgjithshëm. Kjo u konfirmua nga Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.

Sakaq, vijojnë aplikimet e prokurorëve që duan të jenë pjesë e strukturës së posaçme antikorrupsion. Kur ka mbetur dhe një javë afat, numri i kandidatëve ka shkuar në 11.

Sipas Ibrahimit, SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm me mandat të plotë, do të janë gati në muajin qershor.

Por Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë ankuar për mungesë zyrash financash edhe burimesh njerëzore për çka kanë dërguar një shkresë në Kuvend, shoqëruar me faturën financiare.

“Gara për Prokurorin e Përgjithshëm do të hapet më 19 mars. Në këtë mënyrë ne po marrim kohën që na ka dhënë ligji dhe bashkë me garën do të jetë edhe rregullorja dhe metoda e vlerësimit të kandidatëve. Të dyja do të ndodhin rreth qershorit. Këshilli nuk i bën vetë hetimet për shkelje disiplinore të prezumuara, por ato i bën Inspetori i Lartë i Drejtësisë, një institucion që nuk ekziston ende. Por përveç këtij ka edhe një problem tjetër, komplet kreu me shkeljet disiplinore në ligjin për statusin e gjyqtarëve magjistratëve është i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe politika duhet të mblidhet, pasi është shumë e vonuar. Urgjentisht duhet të miratojë, është shumë e vonuar. Në rast se politika nuk miraton ligjin, nuk ka asnjë mënyrë për të disiplinuar prokurorët e korruptuar e paaftë. Nuk ka asnjë mundësi për ta bërë këtë punë. Dhe për sa kohë ligji është kompetencë e politikës, përgjegjësia është e politikës”, u shpreh Ibrahimi.

Shkarkoni aplikacionin e A2