Pedagogët të zhgënjyer me ministren: “Na trajtoi si adoleshentë”

Pas më shumë se një ore takim pedagogët që ndodheshin në takim me ministren e Arsimit Besa Shahini u shprehën të  zhgënjyer për rezultatet e saj.

“U fol shumë, por nuk është arritur asgjë”, deklaroi pedagogu Mark Marku, i cili shtoi se “ministrja u përpoq të na mbushë mendjen se sa i mirë është pakti, por ne i kuptojmë gjerat shumë më mirë se ajo”.

Marku shtoi se mund të pritet deri në darkë që ministrja Shahini të reflektojë për pikat e paraqitura nga pedagogët, dhe më pas do merren vendimet që mund të çojnë edhe në një përshkallëzim të protestës, “me çfarëdolloj mjeti paqësor”.

 Sipas pedagogut Rezart Prifti, “Ministrja na prezantoi Paktin sikur të ishim adoleshentë, nuk iu përgjigj asnjë nga pikave të parashtruara”.

Tashmë, mësimi ka rifilluar pothuajse në gjithë fakultetet. Në fakultetin e Drejtësisë, studentët që duan të rifillojnë mësimin janë spostuar në ambientet e shkollës Petro Nini.  

Ndërkohë, Senati i universitetit të Tiranës, votoi sot lirimin e godinës së fakultetit të Drejtësisë që mbahet i bllokuar.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN