Peza: Bolton konfirmoi që Rama është i rëndësishëm për faktorin shqiptar në rajon

I ftuar në studiot e A2 sot ishte gazetari dhe sekretari për mediat i Partisë Socialiste Alfred Peza.

Peza komentoi debatin e ashpër dhe shpesh herë jashtë etikës në Parlament ditën e djeshme. “Nuk është ajo gjuha që shqiptarët duan të dëgjojnë në atë sallë”, pohon Peza, i cili shton se “politika e sotme ka elemente të show, por kur në këtë teatër  teprohet me fjalorin me ndërmarrjen e fyerjeve personale, gjithçka shkon përtej interesit publik, dhe shkon kundër modelit që kërkon shoqëria”.

Peza komenton edhe protestën e opozitës që pritet të ndodhë më 16 janar, që Peza cilëson si “dështimi i radhës”, sepse opozita ka një vit që nuk po organizon “një protestë të vetme, sepse nuk ka kauza dhe forcë morale që të frymëzojë”.  

Alfred Peza në studiot e A2

Sipas tij, lajmi më i rëndësishëm i ditës së djeshme ka qenë gjithsesi telefonata midis kryeministrit Rama dhe një  prej këshilltarëve më të besuar të presidentit Trump, John Bolton.  

Sipas Pezës, telefonata “ ka qenë për të konfirmuar edhe njëherë që Shqipëria, populli shqiptar dhe qeveria shqiptare kanë qenë faktor kyç për faktorët rajonale, sidomos për faktorin shqiptar në rajon”.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama po rikonfirmohet si protagonist në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, në një moment që ai cilëson si “nga më të rëndësishmit për zgjidhjen e çështjes shqiptare”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN