Trump: Muri do të ngrihet, negociatat janë të kota – A2

Trump: Muri do të ngrihet, negociatat janë të kota

Negociatat në kongres për financimin e murit ndarës me Meksikën, presidenti Amerikan Donald Trump i cilësoi një humbje kohe. Në një intervistë për New York Times përsëriti edhe një herë se nuk do të hiqet dorë nga barriera kufitare, duke nxitur shqetësimet për një shutdown të ri.

 ‘Muri do të ndërtohet’, ishin fjalët e tij.  Fjalët e kreut të Shtëpisë së Bardhë lënë të kuptohet se ai mund të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare për të siguruar 5.7 miliardët e nevojshme pa miratimin e kongresit. 

Çështja e murit përplasi sërish liderin amerikan me kryetaren e dhomës së përfaqësuesve Nancy Pelosi.

 ‘Nensi Pelosi do të lutet për ngritjen e murit. Pa murin, asgjë nuk do te funksionojë’, deklaroi presidenti.

Pelosi iu përgjigj se  “Nuk do të ketë para për murin në legjislacionin për buxhetin. Presidenti do që kongresi të tregohet i paarsyeshëm, në mënyrën se si i përmbush nevojat e popullit amerikan’.

Çështja solli shutdownin më të gjatë të qeverisë amerikane në histori. Nëse palët nuk dakordësohen për buxhetin,   qeverisa do të mbyllet sërish në 15 shkurt.

Gjatë intervistës për New York Times, presidenti foli gjithashtu për hetimet e Robert Mueller lidhur me bashkëpunimin e mundshëm të ekipit të fushatës me Rusinë. Trump tha se zëvendësprokurori i përgjithshëm Rod Rosenstein e kishte siguruar se ai nuk ishte subjekt apo shënjestër e hetimit. 

Shkarkoni aplikacionin e A2