Cakaj takon Mogherinin: Shqipëria ka marrë vlerësime

Gent Cakaj ka zhvilluar në Bukuresht takimin e tij të parë si përfaqësues i Shqipërisë me diplomatë të huaj, pas delegimit të kompetencave nga Edi Rama.

Cakaj është takuar në Bukuresht me shefen për diplomacinë e BE-së, Federica Mogherinin sikurse dhe me homologët e tij europianë, në Samitin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtarë të BE dhe vendeve kandidate. “Vlen të theksohet se Shqipëria ka marrë vlerësime për faktin që politika e saj e jashtme është në përputhje të plotë me parimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian”, tha Cakaj.

Zëvendësministri foli edhe për përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit. “Ky takim ofroi edhe një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e një varg takimesh bilaterale me homologët e vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian. Me këtë rast patëm mundësinë që t’i komunikojmë rezultatet kryesore të reformave të arritura në Shqipëri dhe natyrisht domosdoshmërinë e hapjes së negociatave në qershorin e këtij viti”, shtoi Cakaj.

“Procesi i zgjerimit vazhdon të mbetet një prej prioriteteve kryesore të presidencës rumune dhe përgjatë gjithë takimeve që kemi pasur kemi marrë vlerësim jashtëzakonisht pozitiv për ecurinë e deritanishme të procesit të hapjes së negociatave për anëtarësim”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN