Denoncimi i Skënderbeut: Lojtarët tanë u dhunuan brenda stadiumit

Stadiumi "Redi Maloku" i Fushë Krujës

Pak minuta para nisjes së ndeshjes mes Kastriotit dhe Skënderbeut, të vlefshme për javën e 20 të Kategorisë Superiore, klubi korçar ka denoncuar përmes një postimi në Facebook, se ndaj disa prej lojtarëve është ushtruar dhunë brenda ambienteve të stadiumit “Redi Maloku”.

Sipas denoncimit, rreth 25 persona të paautorizuar kanë qenë brenda ambienteve të stadiumit të Fushë-Krujës – ku zhvillon ndeshjet skuadra e Kastriotit – dhe kanë goditur dhe dhunuar lojtarët Oto John, Kristi Vangjeli dhe Idriz Toskiç, ndërkohë që nuk kishte asnjë forcë policie të pranishme për të ruajtur rendtin dhe siguruar mbarëvajtjen e takimit.

Pavarësisht ngjarjes së shëmtuar, ndeshja e programuar për në orën 14:00 do të luhet pasi forcat e policisë kanë marrë masa për të siguruar stadiumin. Por, vetëm dy prej lojtarëve të dhunuar, Vangjeli dhe Toskic, do të jenë titullarë për skuadrën e Orges Shehit, ndërsa John është lënë në stol.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN