Perëndimi paralajmëron Turqinë për floririn e Venezuelës – A2

Perëndimi paralajmëron Turqinë për floririn e Venezuelës

Qeveria turke është nën presion nga vendet e Perëndimit për të mos blerë më flori nga Venezuela, të paktën kështu thuhet në një raportim të fundit të BBC.

Dyshimet kryesore janë se floriri që blihet nga Turqia përfundon në Iran dhe ky veprim është në shkelje të sanksioneve që Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ndaj Republikës Islamike.

Zëvendëspresidenti venezuelas El Aissami (qendër) vizitoi rafinerinë e floririt në Corum, Turqi, më 16 janar.

I gjithë ky debat ngrihet në momentin kur Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është rreshtuar në krah të homologut venezuelas Nicolas Maduro, i cili nuk njihet më si drejtues i ligjshëm i vendit të tij nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Por tregtia e floririt mes Turqisë dhe Venezuelës është gjithnjë e në rritje. Vitin e kaluar vendi amerikano-jugor eksportoi 900 milionë dollarë flori drejt Turqisë. Sipas dy vendeve, ari përpunohet në Turqi dhe rikthehet në Venezuelë, por deri tani nuk ka asnjë regjistrim të rieksportimit të tij.

Minierë ari në Venezuelë

Përveç Turqisë, floririn e Venezuelës e blen edhe Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Qeveria venezuelase akuzohet se përdor metoda të paligjshme dhe që dëmtojnë ambientin në minierat e saj të arit, por edhe shfrytëzim të punëtorëve përmes rrjeteve të vogla kriminale.

Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një urdhër ekzekutiv që ndalon shtetasit amerikan të përfshihen në tregtinë e arit me Venezuelën.

Shkarkoni aplikacionin e A2