Përplasja me studentët, Shahini si Nikolla

Nga të gjithë ministrat që u larguan nga qeveria e Ramës në dhjetor, shuplaka e studentëve u ndje fort në fytyrën e Lindita Nikollës. Ishin me mijëra të rinjtë që vunë nën presion ministren në dhjetor, kur ajo doli nga zyra e rrethuar nga gardistët.

Pamjet e filmuara me celular nga studentët, dëshmuan se pas 5 vitesh në detyrë, ministrja që mori përsipër autorësinë e ligjit të ri të arsimit të lartë, kishte nevojë urgjente të shtonte truprojat.

Në këtë situatë, largimi i Nikollës ishte një vendim i detyruar. Por pritshmëritë për një reflektim serioz u shuan shpejt. Që në konferencën e parë si ministre, u kuptua se Besa Shahini do të mbetej në të njëjtat pozicione si paraardhësja e saj. Asnjë fjalë për Ligjin e Arsimit të Lartë, vetëm një ftesë studentëve për t’u informuar mbi ofertën e qeverisë.

Përballjen me studentët, siç kishin bërë më herët Rama dhe Nikolla, ministrja e re ia kurseu vetes, deri kur planifikoi një takim në Univeristetin e Shkodrës “Lugji Gurakuqi”. Ministre e re, skena të vjetra.

Preteksti që ndezi situatën në Shkodër dukej i pakuptimtë. Duhej të ishin apo jo gazetarët në takimin me ministren e re, që kishte udhëtuar nga Tirana drejt Shkodrës. Të dyja palët, edhe studentet, edhe ministrja, pretendojnë të njëjtën gjë, duke shtuar mjegullën për arsyet e dështimit.

Ajo që është e sigurt është se në të tilla situata, edhe Besa Shahini ka nevojë për më shumë truproja rreth vetes…

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN