Rama – studentëve: Kthehuni në mësim, do humbisni vitin

Gjatë një bashkëbisedimi me studentët në Konviktet e Mjekësisë, kryeministri Edi Rama i bëri apel studentëve që të rikthehen në mësim pasi rrezikojnë të humbasin vitin akademik. Sipas kreut të qeverisë, është vetëm një pakicë që pengon shumicën. Pas ankesave të disa studentëve, për kushtet në konvikte, Kryeministri Rama tha se me kalimin e kohës kushtet do të përmirësohen dhe se do të ndërtohet korpusi universitar.

Por, përveç kërkesave të studentëve, të cilat i cilësoi si legjitime duke iu referuar protestës së dhjetorit, kryeministri pati një përgjigje edhe për një grup pedagogësh, të cilët një ditë më parë u takuan me ministren e arsimit Besa Shahini, duke i kërkuar ndryshim të ligjit të arsimit të lartë.

Sipas kryeministrit, këta pedagogë kanë vetëm hallin e tyre e jo të studentëve. Dhe këtu, Rama flet për vlerësim të performancës së pedagogëve, që sipas tij e përdor e gjithë bota. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, do të kuptohet nëse pedagogët grevën e bëjnë për veten apo për studentët.

Në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministri foli për pedagogun Mark Marku, pasi sipas tij ai do të bëjë revolucion më 16 shkurt, ditë në të cilën do të mbahet edhe protesta e opozitës.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN