Katër të mbytur në Liqenin e Shkodrës

Një familje me tre anëtarë dhe një djalë që u përpoq t’i shpëtonte u mbytën sot në Liqenin e Shkodrës, në anën malaziase të kufirit.

Familja Kumburovic nga Zeta dhe një djalë nga Podgorica me inicialet V.D., humbën jetën në liqen. Tre pjesëtarët e familjes Kumburovic, burri, gruaja dhe vajza e tyre, ranë në liqen pasi një stuhi përmbysi varkën me të cilën ata po udhëtonin për t’u kthyer nga Manastiri i Vranjinës.

Në varkë ndodheshin edhe persona të tjerë, të cilët kanë mundur të shpëtojnë. Sipas dëshmitarëve, me të mbërritur në bregdet, valët e mëdha përmbysën varkën. “Nëna po përpiqej të shpëtonte fëmijën, por u mbyt gjithashtu. Babai vdiq ndërsa po përpiqej t’i shpëtonte, dhe pas tyre ishte djali që u përpoq t’i vinte në ndihmë”, tha një dëshmitar.

Ekipet e shpëtimit janë ende në terren. Drejtori i policisë malaziase në Liqenin e Shkodrës, Nenad Ivanovic, konfirmoi për “A2 CNN” se është gjetur një trup dhe po vazhdon puna për gjetjen e tre persona të tjerë.

Në operacion është përfshirë edhe një helikopter i Departamentit të Situatave të Emergjencave, ndërsa zhytësit janë duke vijuar operacionin në liqen.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN